
Arkitektura e Orikus Canyon është frymëzuar nga forma e kanioneve natyrore, ku fasadat e lakuara krijojnë një hapësirë qendrore të pasuruar me elemente ujore dhe gjelbërim, të konceptuar si zona relaksi për banorët dhe vizitorët.
Projekti përbëhet nga dy volume të veçanta, të lidhura përmes kësaj hapësire qendrore, duke krijuar një kompozim arkitektonik të balancuar dhe një organizim funksional të ambienteve.



Fasada është elementi që i jep Orikus Canyon identitetin e tij të veçantë arkitektonik. Format organike zhvillohen në mënyrë të njëtrajtshme në çdo kat, duke krijuar një kompozim të harmonizuar dhe një ritëm të vazhdueshëm në të gjithë ndërtesën. Përzgjedhja e materialeve dhe tonaliteteve është frymëzuar nga peizazhi i kanioneve, duke i dhënë dy volumeve karakterin e shkëmbinjve monolitikë dhe një identitet të unifikuar.

Plani i sistemimit është konceptuar mbi parimet e qëndrueshmërisë, duke krijuar një ekuilibër mes arkitekturës, natyrës dhe mirëqenies së banorëve. Në qendër të projektit ndodhet një hapësirë ujore e rrethuar nga gjelbërim dhe shtigje për këmbësorë, e projektuar për të përmirësuar mikroklimën, për të rritur sipërfaqet e gjelbra dhe për të ofruar ambiente të dedikuara për relaks dhe ndërveprim social.









